Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus kërkoi nga komuniteti ndërkombëtar mos të mbyllë sytë përballë pandemisë së Covid-19, edhe pse bota është e lodhur nga virusi.

Në fjalimin e hapjes së Asamblesë së Përgjithshme vjetore të OBSH-së, që u mbajt virtualisht, Ghebreyesus, i cili është dhe vetë i karantinuar pas kontaktit me një person pozitiv me Covid, i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të gjente menjëherë kuptimin e të mirës së përbashkët, shkruan “ATSH”.

“Me këtë shpresë, ne përshëndesim presidentin e zgjedhur amerikan, Joe Biden dhe zëvendëspresidenten e zgjedhur Kamala Harris”, theksoi ai pas mesazheve të urimit të shprehura në “Twitter”, duke theksuar se shpreson të punohet ngushtë me administratën e re të SHBA-së.

Biden njoftoi krijimin e një njësie krize për koronavirusin, i cili ka infektuar gati 50 milionë persona në botë, përfshirë 10 milionë në SHBA. (Irma)