Ministrat e Bujqësisë dhe Ushqimit dhe përfaqësuesit e lartë të ekonomive anëtare të Bashkëpunimit Ekonomik të Azi-Paqësorit (APEC) bënë thirrje për bashkëpunim më të fortë, më të hapur dhe të parashikueshëm tregtar për të garantuar që të ketë qasje në sistemet globale të ushqimit, ato të jenë novative, të besueshme, elastike dhe të qëndrueshëm përkundër sfondit të pandemisë COVID-19.

Në Dialogun virtual të Politikës mbi Sigurinë Ushqimore të martën, ministrat e vunë theksin te shtimi i bashkëpunimit në fushat përkatëse, veçanërisht standardet e ushqimit dhe garantimin e sigurisë ushqimore, lidhjes, produktivitetit, ndërtimit të kapaciteteve dhe pakësimit të barrierave në tregtinë e ushqimit.

"Është e një rëndësie të madhe që anëtarët e APEC-ut të punojnë së bashku për të mundësuar rrjedhën e mallrave thelbësore, përfshirë bujqësinë dhe produktet ushqimore, përtej kufijve dhe për të rritur rezistencën tonë kolektive ndaj ndërprerjeve të furnizimit në ushqim," tha ministri i Bujqësisë dhe Industrisë Ushqimore i Malajzisë, Ronald Kiandee.

Kiandee u kërkoi ekonomive anëtare të miratojnë një qasje gjithëpërfshirëse për sigurinë ushqimore për të siguruar që grupet e pambrojtura nuk do të lihen pas gjatë këtyre kohërave sfiduese.

"Ne duhet të kemi një mendësi të qëndrueshmërisë ku të plotësojmë kërkesat e sigurisë ushqimore pa cënuar mirëqenien dhe aftësinë e brezit të ardhshëm për të përmbushur nevojat e tyre, si dhe duke mbrojtur burimet natyrore", tha ai, duke shtuar se anëtarët duhet të adresojnë ndërprerjet në punësim dhe burimet e të ardhurave. (Albana)