Turizmi në shkallë globale pësoi një rënie me 70% në tetë muajt e parë të vitit, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, nën efektin e pandemisë së Covid-19, njoftoi Organizata Botërore e Turizmit (OBT).

“Muajt e verës, zakonisht sezoni më i lartë turistik në hemisferën veriore, ishin katastrofikë, me -81% të turistëve në korrik mbi një vit dhe -79% në gusht”, specifikon agjencia e Kombeve të Bashkuara me qendër në Madrid, shkruan “ATSH”.

“Kjo rënie do të thotë 700 milionë më pak mbërritje të turistëve dhe një humbje prej 730 miliardë dollarësh për sektorin global të turizmit, më shumë se tetë herë krahasuar me humbjet e regjistruara pas krizës financiare globale të vitit 2009”, theksoi OBT në njoftimin e saj për shtyp.

Rajoni i Azi-Paqësorit, i prekur i pari nga pandemia, është goditur më rëndë (-79%), i ndjekur nga Afrika dhe Lindja e Mesme (-69%), Evropa (-68%) dhe kontinenti amerikan (-65%).

“Rënia e mbërritjeve të verës në Europë ishte pak më e vogël se diku tjetër (-72% në korrik dhe -69% në gusht), por ky rikuperim ishte jetëshkurtër pasi kufizimet e reja të udhëtimit u rivendosën në sfondin e rritjes së rasteve”, nënvizoi OBT.