Agjencia Evropiane e Sëmundjeve Infektive (ECDC) u kërkoi qeverive të planifikojnë dhe përshtatin strategjitë e tyre të vaksinimit në përgatitje për një vaksinë gjerësisht të disponueshme anti-Covid.

“Furnizimet e ndonjë vaksine të mundshme nuk kanë gjasa të jenë të mjaftueshme që vendet të mund të vaksinojnë menjëherë të gjithë popullatën e tyre, që do të thotë se qeveritë do të duhet të identifikojnë grupet përparësore”, bëri të ditur ECDC-ja, shkruan “ATSH”.

“Ndarja e vaksinave duhet të përmirësohet menjëherë dhe disponueshmëria e vaksinave të jetë për ata më në nevojë”, u shpreh drejtorja e ECDC-së, Andrea Ammon.

Në një raport, agjencia vuri në dukje nevojën për t’u përqëndruar në grupe të veçanta të tilla, si individët e rrezikuar nga një sëmundje e rëndë.

Vaksinimet mund të synojnë, gjithashtu, grupe të caktuara moshe ose ato me një rrezik në rritje të ekspozimit dhe transmetimit të mëtejshëm, si punonjësit e shëndetësisë.