Masat kufizuese janë shtuar në Evropë përballë rritjes së rasteve me Covid-19. Në Republikën Çeke hyri në fuqi një kufizim i pjesshëm, një shtetrrethim është vendosur në dy rajone italiane, ndërsa Irlanda ka rivendosur kufizimet prej së mërkurës në mbrëmje, shkruajnë mediet botërore.

Qeveria çeke njoftoi kufizime në lëvizjen e njerëzve si dhe mbylljen e dyqaneve dhe shërbimeve për të intensifikuar betejën kundër sëmundjes, deri më 3 nëntor.

Në dy rajone italiane, Lombardi, më i prekuri nga pandemia, dhe Campagna në jug po përgatitet vendosjen e një shtetrrethimi, për t’i bërë ballë shpërthimeve të reja të rasteve me Covid. Ai do të jetë në fuqi për tre javë, nga ora 23:00 deri në orën 05:00, shkruan “ATSH”.

Në Irlandë hynë në fuqi masa të ashpra. Me shpresën për të festuar krishtlindjen në mënyrë korrekte, sipas kryeministrit Micheal Martin, irlandezët do të qendrojnë në shtëpi për gjashtë javë, por shkollat do të vazhdojnë të jenë të hapura.

Situata është përkeqësuar dhe në Spanjë, duke u bërë vendi i parë i BE-së dhe i gjashti në botë që kalon pragun e 1 milion rasteve me koronavirus. Autoritetet kanë vendosur me urgjencë kufizime të reja.

Polonia mund të vendosë ashpërsim të kufizimeve, sipas vullnetit të kryeministrit, i cili kërkon që i gjithë vendi të shpallet zonë e kuqe.