Nga fillimi i vitit deri më tani ka pasur rreth 170.000 viktima më shumë se në të njëjtën periudhë të katër viteve të fundit, ku kulmi arriti në fund të marsit dhe në fillim të prillit. Janë këto të dhënat e Eurostat-it të publikuara në lidhje me numrin e vdekjeve në Evropë, krahasuar me periudhën 2016-2019.

Sipas analizës, qytetet më të prekura ishin Bergamo, në Itali dhe Segovia, në Spanjë. Kjo e fundit numëron të dhënat më të këqija.

Vetëm në periudhën mars-qershor të këtij viti, të dhënat raportuan një rritje prej 160 mijë vdekjesh krahasuar me numrin e përgjithshëm të viktimave në të njëjtën periudhë të 2016-2019.

Eurostat-i llogariti shifrat e 26 vendeve evropiane që ka mundur të monitoronte duke numëruar çdo viktimë, dhe jo vetëm vdekjet nga Covid-19. Në fund të marsit, u arrit kulmi me 36 mijë vdekje më shumë, një shifër që ra në rreth 5 mijë në javë dhe 2200 në mes të qershorit.