Kompania amerikane e automjeteve elektrike "Tesla" tha të hënën se do të fillojë këtë muaj eksportimin e makinave "Model 3" të prodhuara në Kinë në më shumë se 10 vende evropiane.

"Tesla", e cila filloi dorëzimin e automjeteve të prodhuara në fabrikën e saj në Shangai dhjetorin e vjetshëm, tha në një deklaratë se do të eksportojë këtë muaj makina të prodhuara në Kinë në vende si Gjermania, Franca, Italia dhe Zvicra.

Kompania është zgjeruar në Kinë edhe në kushtet kur tensionet midis Uashingtonit dhe Pekinit janë përshkallëzuar. Fabrika e Shangait, fabrika e parë e "Tesla"-s jashtë ShBA-së, synon të prodhojë 150 000 automjete këtë vit.

"Mbështetja nga qeveria kineze e industrisë, kompanive inovative vendore dhe klientëve të teknologjive të reja, e bëjnë Kinën tregun më të mirë për automjetet elektrike inteligjente", deklaroi "Tesla", duke shtuar se do të zgjerojë rrjetin e prodhimit, të ngarkimit të baterive dhe të shitjeve të makinave elektrike në Kinë.

Prodhuesi i automjeteve elektrike, i cili shiti më shumë se 11 000 makina "Model 3" muajin e kaluar në Kinë, tregu më i madh i automjeteve në botë, po krijon gjithashtu kapacitete të reja prodhimi në Shangai për automjetet sportive "Model Y".

Agjencia e lajmeve "Reuters" njoftoi në shtator se "Tesla" po planifikonte të eksportonte automjetet "Model 3" të prodhuara në Kinë, në tregjet aziatike dhe evropiane. (Zhan Dian/Artan Goga)