Sipas njoftimit të 16 tetorit të gazetës janponeze “Yomiuri Shimbun”, shumë zyrtarë bënë të ditur se Japonia i njoftoi ShBA-së se nuk do të marrë pjesë në planin amerikan për përjashtimin e ndërmarrjeve kineze nga rrjeti i telekomunikacionit. Para kësaj, sipas njoftimit të agjencisë koreanojugore të lajmeve “Yonhap”, gjatë dialogut të 5-të strategjik ekonomik midis Koresë së Jugut dhe ShBA-së, funksionarët koreanojugorë refuzuan kërkesën e palës amerikane për përjashtimin e kompanisë “Huawei” nga ndërtimi i rrjetit 5G të këtij vendi, duke shpjeguar se “kjo varet nga kompania”.

Politikanët amerikanë kanë pësuar humbje të herëpashershme në kërcënimin e aleatëve. Kjo tregon se në kohën e multilateralizmit dhe të globalizimit me interes të ndërsjellë dhe përfitime të përbashkëta, “diplomacia e kërcënimit” është një rrugë pa krye, komenton Grupi Mediatik i Kinës (CMG).

Gjatë turneve të këtij viti, sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo ka shpifur vazhdimisht për Kinën në Evropë, në Lindjen e Mesme apo edhe në Amerikën Latine. Por pjesa dërrmuese e vendeve reaguan me objektivizëm. Për shembull, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Joseph Borrell tha se pavarësisht nga presioni e fuqia e madhe për “zgjedhjen e anës”, BE-ja nuk do të zgjedhë “bashkëpunimin me ShBA-në dhe kundërshtimin me Kinën”, duke u nisur nga interesat dhe konceptin e vetë të vlerës.

Krahas formimit të “rrethit të vogël kundër Kinës”, edhe në çështje të tjera politikanët amerikanë kanë kërcënuar vazhdimisht vendet e tjera, përfshirë aleatët e tyre. Për shembull, për frenimin e mëtejshëm të Rusisë, ShBA-ja nuk përfill interesat e Gjermanisë dhe orvatet të pengojë projektin e bashkëpunimit midis Rusisë e Gjermanisë “Nord Stream 2”. Ndërkohë, qeveria amerikane i detyroi Japoninë dhe Korenë e Jugut të paguajnë më shumë “tatim për mbrojtjen”, me kërcënimin e tërheqjes së trupave nga këto vende. Raste të tilla egoiste të ShBA-së janë aq të shumta, sa që ish-kryetari i Këshillit Evropian, Donald Tusk tha: “Me një mik si ShBA-ja, kush ka nevojë për armik?”

Në fakt, gjithnjë e më shumë vende e kanë të qartë se mosmarrëveshjet apo kontradiktat midis Kinës dhe ShBA-së, nuk janë konkurrenca për kompentencën apo pozicionin, as midis sistemeve shoqërore, por një konkurrencë midis mbrojtjes së të drejtës dhe të përhapjes së qëllimeve të egra, midis multilateralizmit e unilateralizmit dhe midis bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta e lojës së shumës zero.

“Çdo vend që synon diplomacinë e pavarur dhe autonome dhe që i përmbahet barazisë e drejtësisë, do të bëjë zgjedhjen që përputhet më mirë me interesat e veta,” komentoi CMG-ja. (Wang Lei/Albana)