Përparimi më i shpejtë në zgjidhjet mjekësore kundër koronavirusit mund të shpejtojë rimëkëmbjen ekonomike të vendeve, e cila është parashikuar të shtojë pothuajse 9 trilionë dollarë në të ardhurat globale deri në vitin 2025, theksoi drejtoresha e FMN-së, Kristalina Georgieva.

Gjatë një konference shtypi pas takimit vjetor me Bankën Botërore, Georgieva theksoi se bashkëpunimi i fuqishëm ndërkombëtar rreth zhvillimit dhe shpërndarjes së vaksinës tani është i nevojshëm më shumë se kurrë.

“Nëntë muaj në pandemi, ne jemi ende duke luftuar me errësirën e një krize që ka marrë më shumë se një milion jetë”, theksoi ajo, shkruan “ATSH”.

FMN-ja vazhdon të projektojë recesionin më të keq global që nga Depresioni i Madh, paralajmëroi Georgieva. “Rritja pritet të ulet me 4.4 % këtë vit dhe gjatë pesë viteve të ardhshme kriza mund të kushtojë rreth 28 trilionë dollarë në humbjet e prodhimit”.

Duke nënvizuar se masat thelbësore për mbrojtjen e jetesës duhet të vazhdojnë, Georgieva theksoi se rimëkëmbja e qëndrueshme ekonomike është e mundur vetëm nëse mposhtim pandeminë kudo.

Ajo shtoi se rritja e masave jetësore shëndetësore do të ishte po aq e rëndësishme sa mbështetja fiskale dhe monetare për familjet dhe kompanitë.