Kryeministri i Britanisë, Boris Johnson, në një bisedë telefonike me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shprehu zhgënjimin për mungesën e progresit në bisedimet mbi Brexit-in.

“Kryeministri theksoi dëshirën për marrëveshje, por shprehu zhgënjim se nuk është arritur përparim më i madh gjatë dy javëve të fundit”, thuhet në njoftimin nga qeveria britanike, shkruan “ATSH”.

Më tej, thuhet se kryeministri britanik do të reflektonte përpara se të përcaktonte hapat e ardhshëm të Mbretërisë së Bashkuar.

“BE-ja po punon për një marrëveshje, por jo me çdo çmim. Kushtet duhet të jenë të drejta, për peshkimin, fushën e barazisë dhe qeverisjen. Ende ka shumë punë përpara nesh”, -shkroi Ursula von der Leyen në “Twitter”.