Kjo javë ka qenë e jashtëzakonshme për ligjvënësit evropianë që mbështesin një linjë më të ashpër të politikës për klimën, ndërsa në seancën plenare parlamentare u miratuan ndryshimet në Ligjin Evropian të Klimës, që parashikojnë asnjanësimin klimatik deri në vitin 2050 si një objektiv i detyrueshëm për Bashkimin Evropian.

"Përfundimi i javës. Një hap përpara drejt një kontinenti të qëndrueshëm. Miratimi i Ligjit për Klimën përfaqëson një moment të rëndësishëm në përkushtimin e Evropës ndaj brezave të rinj," shkroi në “Twitter” të premten Lidia Pereira, një anëtare portugeze e Parlamentit Evropian.

Parlamenti njoftoi të enjten miratimin e mandatit të vet negociues mbi ligjin me 392 vota pro, 161 kundër dhe 142 abstenim, pas debateve dhe votimit që zgjatën dy ditë.

Duke komentuar rezultatin e votimit, zv.kryetari ekzekutiv i Komisionit Evropian për Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane, Frans Timmermans, shkroi në “Twitter” se parlamenti, me votën për ligjin e klimës, dërgoi një mesazh të fortë në lidhje me nevojën për objektiva ambiciozë në trajtimin e krizës klimatike.

"Ky është një moment historik," tha parlamentari nga Suedia, Jytte Guteland. Sipas tij, ligji mbi klimën është me të vërtetë themeli i Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane, pasi përfshin në legjislacion objektivat e BE-së për të arritur lëshime neto zero të gazit serrë brenda vitit 2050.