Fondi Monetar Ndërkombëtar u kërkoi vendeve të pasura që të rrisin investimet publike për të përshpejtuar rimëkëmbjen e ekonomisë së prekur nga pandemia e Covid 19, duke braktisur kështu shqetësimin tradicional mbi uljen e borxhit, -bën të ditur ATSH.

“Bota është në recesion, por ne jemi në një situatë të paparë me kosto shumë të ulët huazimi, infrastrukturë të shkatërruar, përfshirë ekonomitë e përparuara dhe shumë njerëz të papunë, të cilët kanë nevojë të punojnë”, -argumentoi Paolo Mauro, një nga drejtuesit e Departamentit të Çështjeve të Buxhetit të FMN-së.

“Investimet publike mund të sigurojnë këtë mbështetje të nevojshme për aktivitetin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës”, -shtoi ekonomisti, i cili paraqiti një kapitull të raportit mbi mbikëqyrjen buxhetore, përpara takimeve të vjeshtës së FMN-së.

Sipas FMN-së, rritja e investimeve publike me 1% të PBB-së gjatë dy viteve të ardhshme do të stimulojë rritjen me 2.7%, investimet private me 10% dhe punësimin me 1.2 %, me kusht që investimet të jenë me cilësi të lartë.

FMN-ja theksoi se për BE-në kjo do të krijojë dy deri në tre milionë vende pune, kurse për SHBA-në rreth dy milionë vende pune.