Gjykata e distriktit të Kolumbias në ShBA vendosi më 27 shtator të pezullojë zbatimin e urdhrit administrativ të qeverisë amerikane për të hequr “TikTok”-un nga dyqanet e aplikacioneve të celularëve në ShBA.

Lidhur me këtë, ekspertët besojnë se duhet bërë vëzhgim i mëtejshëm për të parë nëse ShBA-ja do të gjejë arsye të tjera për të vazhduar presionin ndaj “TikTok”-ut.

Lidhur me vendimin e Gjykatës Federale të ShBA-së kundër urdhrit administrativ të qeverisë amerikane ndaj kompanisë “TikTok”, Zuo Xiaodong, nënkryetar i Institutit të Studimit të Sigurisë së Informacionit të Kinës, thotë se kjo është pozitive, por nuk përbën rezultatin përfundimtar. Qeveria amerikane nuk do të heqë dorë nëse nuk arrin qëllimet e saj dhe nuk do të ndryshojë planin e vet origjinal për shkak të një vendimi gjykate.

Zuo mendon se “TikTok”-u është vetëm një rast. ShBA-ja nuk ka dhënë kurrë dëshmi për dyshimet që produktet e vendeve të tjera kërcënojnë sigurinë kombëtare dhe ajo nuk respekton vendet e tjera. Ky është hegjemonizmi amerikan.

Në të ardhmen, ShBA-ja ka mundësi të ngrejë dyshime mbi kompani të tjera të huaja me të njëjtën arsye. Trysnia e paarsyeshme ndaj ndërmarrjeve nga vendet e tjera është goditje për teknologjitë e reja dhe shkel rregullat e zhvillimit të civilizimit njerëzor.

Lu Chuanying, sekretar i përgjithshëm i Qendrës së Studimit të Qeverisjes Globale të Hapësirës Kibernetike në Institutin e Studimeve Ndërkombëtare të Shangait, vëren se vendimi i gjykatës amerikane dëshmon se ndalimi i qeverisë amerikane dyshohet se ka shkelur ligjin amerikan. Lu mendon se arsyeja kryesore e goditjes ndaj “TikTok”-ut nuk është që ajo është kompani kineze, por që nuk është kompani amerikane. ShBA-ja s’mund të tolerojë që kompanitë e vendeve të tjera të jenë më të mira se kompanitë amerikane.

Incidenti i “TikTok”-ut nuk është vetëm fokus i Kinës dhe i ShBA-së, por bashkësia ndërkombëtare gjithashtu i kushton rëndësi të madhe. Revista “Harvard Business” komentoi: "Ndalimi i ‘TikTok’-ut tregon edhe një herë se ShBA-ja nuk është garantuese e biznesit global, por përbën kërcënim për biznesin global. Ky koncept po ndryshon thellësisht ekonominë botërore dhe po rrezikon kompanitë amerikane". Sipas një raporti nga Këshilli i Biznesit ShBA-Kinë, 86% e kompanive anëtare në këtë Këshill u shprehën se bizneset e lidhura me Kinën ishin prekur negativisht. Ndikimi më i madh është humbja e shitjeve e shkaktuar ngaqë, për shkak të pasigurisë së furnizimit të vazhdueshëm, klientët i kanë ndryshuar furnizuesit ose burimet e blerjes. Disa kompani të shqetësuara për ndalimin e ShBA-së, ka mundësi të fillojnë një plan për të hequr ose zëvendësuar përbërësit amerikanë në produktet dhe zinxhirin e furnizimit. (Çang Çuo)