
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka bërë të ditur se shpërthimi i Covid 19 në Afrikë mund ta ketë kaluar kulmin, por paralajmëron qeveritë mos të jenë të vetëkënaqura pasi vendet po zbusin kufizimet e tyre.
Numri i rasteve të reja të konfirmuara ditore në përgjithësi ka rënë në këto dy muaj, megjithëse disa vende po shohin ende një rritje të rasteve, shkruan “BBC”.
Gjatë katër javëve të fundit ka pasur një rënie mesatare prej 3% të numrit të rasteve të reja javore që raportohen, sipas Qendrës afrikane për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC).
“Nuk mendoj se e kemi kaluar valën e parë, sepse ende nuk e kemi prekur fundin", -tha John Nkengasong i CDC-së.
Rajoni i Afrikës Veriore regjistroi një rritje prej 14% të rasteve gjatë katër javëve të fundit. Maroku ka përjetuar një rritje të rasteve dhe ka pasur numrin më të lartë të rasteve të reja në kontinent gjatë javës së kaluar.
Libia dhe Tunizia ishin gjithashtu midis pesë vendeve me numrin më të lartë të rasteve të reja gjatë javës. Vendet e tjera që raportojnë numër të lartë të rasteve të reja janë Afrika e Jugut dhe Etiopia.







