“Koronavirusi nuk është vetëm një emergjencë shëndetësore, por edhe e komunikimit. Sapo Covid u përhap në të gjithë botën, mesazhe të papërshtatshme dhe madje edhe të rrezikshme u shpërndanë në mediet sociale, duke i lënë njerëzit të çoroditur dhe të keqkëshilluar”.

Kështu deklaroi sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, në një aktivitet virtual në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme, organizuar nga OBSH-ja, shkruan “Ansa”.

"Antidoti është të sigurohemi që faktet dhe udhëzimet shëndetësore të mbështetura nga shkenca të qarkullojnë edhe më shpejt dhe të arrijnë te njerëzit kudo që kanë qasje në informacion", -tha Guterres.

“Kjo do të jetë thelbësore ndërsa ne punojmë për të ndërtuar besimin e publikut në sigurinë dhe efikasitetin e vaksinave të ardhshme”.

Guterres më pas specifikoi se nisma e Kombeve të Bashkuara, e quajtur “Verified”, lufton dezinformimin me të vërtetën.