Disa ditë pas fillimit të një bllokimi të dytë kombëtar në Izrael, numri i infektimeve të koronavirusit arriti një rekord të ri.

Sipas një deklarate nga Ministria izraelite e Shëndetësisë, të martën u regjistruan 6861 raste të reja pozitive me Covid-19.

Bllokimi kombëtar filloi të premten, në prag të Vitit të Ri Hebre, por shumë izraelitë thyen rregullat dhe festuan me familjet e tyre, duke krijuar dhe grumbullime.

Gjatë bllokimit trejavor, izraelitëve u kërkohet të qëndrojnë brenda një kilometri nga shtëpitë e tyre, megjithëse ka përjashtime nga rregulli të tilla si udhëtimi për punë apo blerja e gjërave të domosdoshme.

Ndalohet hapja e shumë bizneseve si hotele, qendra tregtare, qendra rekreative, sallone bukurie, qendra sportive dhe pishina, ndërsa supermarketet, farmacitë dhe shërbimet e shpërndarjes së ushqimit janë ende funksionale.