Agjencia e lajmeve "Reuter" njoftoi më 17 shtator që Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC) paralajmëroi që në vendet aziatike, epidemia e COVID-19 po shton diskriminimin ndaj migrantëve dhe të huajve.

Sipas një sondazhi me mbi 5000 pjesëmarrës në Indonezi, Malajzi, Mianmar dhe Pakistan, afro gjysma e të pyeturve fajësuan ndonjë grup të caktuar për përhapjen e COVID-19 dhe shumë prej tyre përmendën kinezët, imigrantët dhe të huajt.

Koordinatorja për çështjet e Azi-Paqësorit në IFRC, Viviane Fluck, u shpreh: “Sidomos shqetësuese është që si migrantët e brendshëm, edhe punëtorët e huaj janë akuzuar si shkaku i përhapjes së COVID-19, pasi ata janë në një gjendje delikate tani.”

Ajo u shpreh që duhet të shtohet goditja ndaj “thashethemeve që lidhen me dinamikat e pushtetit dhe problemet strukturore të mosbarazisë”.

Njerëzit e arsyeshëm dhe me shpirt shkencor bien në një mendje që epidemia e COVID-19 është një “fatkeqësi natyrore” dhe një sulm i befasishëm nga një virus i panjohur ndaj njerëzimit. Virusi nuk ka kufi dhe epidemia nuk bën dallime mbi bazën e racës. Kina, ashtu si vendet e tjera të botës, është një viktimë e epidemisë. Asnjë individ ose vend nuk e ka përhapur enkas virusin dhe ankesat, përjashtimi dhe diskriminimi ndaj një kombësie ose një race nuk do të zgjidhë asnjë problem. Masat parandaluese shkencore, unanimiteti shoqëror dhe bashkëpunimi ndërkombëtar janë masat efektive antiepidemike.

Në procesin e përgjigjes ndaj kësaj krize globale të shëndetit publik, është urgjente dhe e rëndësishme që të ndërtohet një bashkësi me fate të përbashkëta të njerëzimit. Vetëm duke iu përmbajtur këtij koncepti dhe nëse punojnë bashkë, të gjitha vendet mund ta kalojnë epideminë dhe të ruajnë shtëpinë e përbashkët të njerëzimit.