Në sesionin e 70-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në vitin 2015, presidenti kinez Xi Jinping mbajti një fjalim të rëndësishëm me titull "Të bashkohemi për të ndërtuar partneritetin e ri të bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta dhe bashkësinë e fateve të përbashkëta të njerëzimit", ku paraqiti një sërë propozimesh. Tani pas pesë vjetëve, Bernd Einmeier, presidenti i Rrjetit të Instituteve të Studimit të Politikave të Gjermanisë dhe kryetari i Shoqatës Gjermano-Kineze për Ekonominë, Arsimin dhe Kulturën, shpreh mendimet e tij mbi përpjekjet e Kinës dhe pritshmëritë që ka për paraqitjen e Kinës në sesionin e 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

"Mendoj se fjalimi i Xi Jinping-ut para pesë vjetëve ka rëndësi të madhe në përmasa të ndryshme. OKB-ja është organizata më e rëndësishme në botë për zgjidhjen e çështjeve ndërkufitare. Si vendi i parë që nënshkroi Kartën e OKB-së në vitin 1945, Kina ka luajtur gjithmonë një rol kryesor në qeverisjen globale dhe çështjet kryesore ndërkombëtare dhe rajonale,"tha ai.

Einmeier mendon se Kina, si një nga vendet themeluese të OKB-së, gjithmonë e ka mbështetur këtë organizatë që të luajë një rol aktiv dhe të ruajë autoritetin dhe statusin e saj. Sidomos që kur presidenti kinez Xi Jinping mbajti fjalimin në sesionin e 70-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Kina ka dhënë shembullin dhe ka përmbushur misionin e saj, duke qenë ndërtuese e paqes në botë, kontribuuese në zhvillimin global dhe mbrojtëse e rendit ndërkombëtar.

"Kina është një nga vendet me numrin më të madh të trupave paqeruajtëse në botë dhe mbështet fuqimisht buxhetin paqeruajtës të OKB-së. Për shembull, në Afrikë, Kina ka zbatuar projekte të mëdha infrastrukturore, të cilat kanë përmirësuar drejtpërdrejt standardet e jetesës së banorëve vendorë. Unë mendoj se janë veçanërisht të admirueshme shpejtësia dhe efikasiteti i Kinës në procesin e zbatimit të projekteve, të cilat janë pothuajse të pakrahasueshme me ato të vendeve të tjera. Përveç kësaj, është e admirueshme mrekullia e uljes së varfërisë në Kinë. Kina ka zhdukur varfërinë ekstreme në 40 vjetët e fundit. Kjo përvojë e suksesshme për uljen e varfërisë mund t'u ofrohet vendeve të tjera në zhvillim," tha ai.

Lidhur me pritshmëritë e tij për sesionin e 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Einmeier theksoi se megjithëse gjendja e tanishme ndërkombëtare është jashtëzakonisht e ndërlikuar dhe plot me pasiguri, ai beson se nuk do të ndryshojë tema kryesore e vendeve pjesëmarrëse në konferencë, për mbrojtjen e multilateralizmit dhe rendit ndërkombëtar:

"Shpresoj se Kina do të ketë përsëri një zë të fortë në këtë konferencë, duke shpjeguar se çfarë potenciali tjetër bashkëpunimi mund të shfrytëzohet në sfondin e përgjithshëm të bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit. Nuk është e vështirë të parashikohet që OKB-ja do të ndikohet nga zgjedhjet në ShBA. Sipas mendimit tim, lufta tregtare e nisur nga ShBA-ja, veçanërisht mosmarrëveshja me Kinën, do të dëmtojë të dy palët, sepse historia ka provuar shumë herë se të dy palët e luftës janë gjithmonë humbëse. Prandaj shpresoj se marrëdhëniet e mira midis Evropës dhe Kinës mund të ndihmojnë në rikthimin e arsyes në marrëdhëniet kino-amerikane. " (Çang Çuo)