Gazeta gjermane "Der Freitag" publikon një artikull të martën, ku ndër të tjera thuhet se Kina është partnere e besueshme dhe Evropa nuk duhet të ndjekë historinë e ShBA-së.

Sipas artikullit, së shpejti Republika Popullore e Kinës do të bëhet aktorja më e rëndësishme në politikën botërore. Në tre vjetët e fundit, marrëdhëniet kino-amerikane janë përkeqësuar shpejt. Shtetet e Bashkuara kanë zgjedhur të përballen me Kinën në të gjitha fushat, dhe Pekini nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të përgjigjet ashpër. Evropianët duket se nuk vlerësohen si partnerë të barabartë nga ShBA-ja. Fatkeqësisht, disa evropianë mund të ndjekin dëshirat e ShBA-së, por të paktën qeveria e Merkelit është mjaft e kujdesshme për të mos u përfshirë në përballjen me Kinën, vihet në dukje në artikull.

Trajtimi i Kinës si armiku i ri kryesor është një gabim i pafalshëm dhe i pariparueshëm dhe do të çojë në një përshkallëzim të lojës "dhëmb për dhëmb". Qeveritë e vendeve evropiane dhe ministrat e jashtëm nuk duhet t'i përgjigjen thirrjes së ShBA-së për "bashkim për të sanksionuar Kinën". Asnjë vend nuk mund të shpërfillë forcën e Kinës në fushat e teknologjisë, shkencës, ekonomisë dhe financave, ose ta trajtojë me dashje keq këtë vend. Evropianët nuk duhet t'u kushtojnë rëndësi veprimeve të disa personave të qarqeve të larta të ShBA-së për të përmbajtur ngritjen e mahnitshme të Kinës si fuqia kryesore tregtare dhe ekonomike në botë

Në artikull thuhet gjithashtu se "Kina nuk është as kundërshtarja dhe as armikja jonë, por një partnere globale gjithnjë e më e rëndësishme. Pa bashkëpunim me Kinën, nuk mund të ketë politika të suksesshme për të trajtuar ndryshimin e klimës globale. Pa bashkëpunim me Kinën, nuk do të jemi në gjendje të merremi me epideminë globale aktuale dhe valën e re të parashikueshme të infeksioneve - ne nuk mund të mbështetemi te ShBA-ja në këtë drejtim". Sipas ligjit ndërkombëtar, ligjet dhe rregulloret e Kinës mbi çështjet e Hong-Kongut nuk kanë asnjë lidhje me vendet e tjera dhe shtrëngimi i ligjeve nga Kina është një praktikë e zakonshme në të gjitha vendet demokratike, theksohet në artikullin e "Der Freitag".(Zhan Dian/Artan Goga)