Sipas raporteve të mediave tajvaneze, sekretari amerikan i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore Alex Azar mbërriti në Tajpei me aeroplan të posaçëm të dielën pasdite. Si përgjigje, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Zhao Lijian, deklaroi në një konferencë të rregullt për shtypin të hënën se Kina gjithmonë ka kundërshtuar me vendosmëri shkëmbimet zyrtare midis Shteteve të Bashkuara e Tajvanit dhe u ka paraqitur pakënaqësinë e vet serioze Shtetet e Bashkuara për situatën përkatëse.

Si zyrtar në rang ministri, i ngarkuar me çështjet e shëndetësisë në Shtetet e Bashkuara, Azari shkoi në Tajvan nën flamurin e "bashkëpunimit antiepidemik", duke synuar të mbulojë qëllimin e tij të vërtetë. Por për ironi, sipas të dhënave të publikuara nga Universiteti Johns Hopkins i Shteteve të Bashkuara, të dielën sipas orës lindore të ShBA-së, numri i rasteve të konfirmuara të pneumonisë së koronavirusit të ri në Shtetet e Bashkuara i kaloi 5.05 milionët, ndërsa i të vdekurve ishte mbi 160 000. Shtetet e Bashkuara janë vendi më i goditur nga epidemia në botë.

Sipas uebsajtit amerikan të lajmeve “Politico”, që nga fundi i prillit, 9 nga 11 udhëtimet e Azarit kanë qenë në "fushëbetejat kryesore" të Trump-it për të fituar zgjedhjet e vitit 2020, duke përfshirë Floridën, Xhorxhian, Miçiganin dhe shumë shtete të tjera. Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore të ShBA-së tha: "Që kur u lirua nga detyra e drejtuesit të ekipit të reagimit ndaj epidemisë në Shtëpinë e Bardhë, ai (Azari) ka qenë në kërkim të një roli dhe pozicionimi tjetër. Azari shkoi në shtetet kryesore për zgjedhjet e përgjithshme dhe dha intervista për median vendore, duke bërë të gjitha përpjekjet për të promovuar Trump-in. Kjo pasqyron dëshirën e tij për të hapur karrierën e vet politike përmes këtyre veprimeve."

Leslie Dach, një ish-këshilltar i lartë i sekretarit të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore të Shteteve të Bashkuara, vuri në dukje: "Gjatë qëndrimit tonë në detyrë, ne kurrë nuk kemi udhëtuar për shkak të këtyre faktorëve politikë".

Azari e ka treguar mosrespektimin e interesave të publikut edhe më parë.

Më 26 shkurt, ai deklaroi në një seancë dëgjimore në Dhomën e Përfaqësuesve të ShBA-së: "Ne duam të sigurojmë që të gjithë të kenë mundësi të vaksinohen, por çmimi nuk është nën kontrollit tonë." Kjo deklaratë ngjalli zemërimin e qytetarëve amerikanë. Një përdorues internet shkroi: "Epo mirë, nëse të pasurit mund të bëjnë vaksinën, ne punëtorët mund të mbështetemi vetëm te lutjet."

Senatori Bernie Sanders e ka kundërshtuar me vendosmëri emërimin e Azar-it si sekretar i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore. Ai tha: "Ne kemi nevojë për një sekretar shëndetësie, i cili është i gatshëm të luftojë lakminë e industrisë farmaceutike dhe të ulë çmimin e barnave me recetë, jo të përfitojë nga ajo."

Uebsajti amerikan i lajmeve "Rollcall" raportoi se, që nga viti 2000, Azari ka shpenzuar 105 000 dollarë në dhurime politike. Në vitin 2016, ai dhuroi 5 400 dollarë për fushatën e Trump-it.

Në një raport të mëparshëm, "Politico" theksoi se aftësia e Azarit për t'u bërë sekretar i Shëndetësisë ka lidhje me mbështetjen e disa zyrtarëve të administratës, duke përfshirë zv.presidentin Mike Pence, Andrew Bremberg-un etj.(Vera)