Pesë veta, duke përfshirë një çift të moshuar dhe një foshnjë 8-muajshe, kanë humbur jetën pasi një stuhi goditi ishullin Evia të Greqisë Qendrore.

Policia thotë që trupat e viktimave u gjetën të dielën në mëngjes, ndërsa reshjet e dendura të shiut bllokuan dhjetëra veta në shtëpitë ose makinat e tyre.

Sipas medies, një lumë doli nga shtrati dhe përmbyti fshatin Politika, 100 km në veri të Athinës.

Helikopterët shpëtuan shumë banorë që qëndronin në çatitë e shtëpive të tyre, ndërsa zjarrfikësit u përpoqën të shuanin mbi 50 zjarre të shkaktuara nga rrufetë.

Rrugët për në pjesën kontinentale janë bllokuar dhe vetëm një traget është në shërbim tani për tani.