Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë i ka nxitur udhëheqësit botërorë "të zgjedhin rrugën e bashkëpunimit dhe të veprojnë tani" për t'i dhënë fund epidemisë së COVID-19.

Duke folur në Forumin e Sigurisë të Aspenit nëpërmjet një lidhjeje me video, Drejtori i Përgjithshëm i OBSh-së Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se rimëkëmbja ekonomike në mbarë botën mund të ndodhë më shpejt nëse vaksina e COVID-19 u sigurohet të gjithëve si një e mirë publike:

"Është një botë të globalizuar dhe ekonomitë janë të ndërlidhura. Vetëm një pjesë e botës a disa vende nuk mund të jenë një strehë e sigurt dhe të mëkëmben. Ato duhet të mëkëmben së bashku me pjesën tjetër të botës. Pra, ajo që po themi është se ndarja e vaksinave ose e mjeteve të tjera e ndihmon botën të mëkëmbet së bashku, dhe rimëkëmbja ekonomike mund të jetë më e shpejtë e dëmi nga COVID-19 mund të jetë më i vogël."

Deri tani, gjashtë vaksina kandidate të COVID-19, duke përfshirë tre nga Kina, kanë hyrë në fazën e tretë të eksperimentimit.

Shefi i OBSh-së gjithashtu theksoi se COVID-19 nuk mund të mposhtet në një botë të ndarë dhe shprehu shpresën se Shtetet e Bashkuara "do ta rishqyrtojnë qëndrimin e tyre" lidhur me vendimin për t'u tërhequr nga organizata.

Deri më tani, më shumë se 18 milionë raste të konfirmuara të COVID-19 në të gjithë botën i janë raportuar OBSh-së, kurse numri i të vdekurve i ka kaluar 700 mijët.

Shtetet e Bashkuara dhe Brazili mbeten vendet me numrin më të lartë të rasteve të konfirmuara dhe vdekjeve.