Studiuesi i lartë i Universitetit të Jellit, Stephen S. Roach, ka publikuar një opinion në CNN, ku ndër të tjera thuhet se katër zyrtarë të qeverisë amerikane kanë bërë një sërë komentesh të gjata ndaj Kinës, por opinionet e tyre janë plot me konspiracion dhe nuk kanë analiza të bazuara te faktet.


Stephen S. Roach është i mendimit që sekretari i Shtetit Mike Pompeo, këshilltari i çështjeve të sigurisë kombëtare Robert O’Brien, drejtori i FBI-së Christopher Wray dhe Prokurori i Përgjithshëm William Barr kanë dhënë argumente të gabuara mbi ekonominë, epideminë e COVID-19 dhe natyrën e marrëdhënieve Kinë-SHBA.


Roach u shpreh që të katër këta zyrtarë kanë marrë arsim ligjor, por nuk kanë asnjë sfond ose përvojë në ekonomi dhe “do të merrnin notë jokaluese në shumicën e kurseve të hyrjes në ekonomi".


Ai është i mendimit që këta zyrtarë jo vetëm nuk kuptojnë lidhjet mes deficitit tregtar dhe kursimeve bankare, por edhe nuk marrin parasysh një pikë tjetër më të rëndësishme: deficiti tregtar mes Kinës dhe ShBA-së është thjesht një pjesë e deficitit tregtar të ShBA-së me 102 vende të botës.


Roach thotë që për një kohë të gjatë, konspiracioni është "kartëvizita" e administratës së Trump-it dhe Pompeo ka qenë kryesori në zbatimin e taktikave të tilla ndaj Kinës. Në fazën fillestare të epidemisë, Pompeo e quante në mënyrë të hapur virusin e COVID-19, si "virusi i Wuhan-it" ose "virusi kinez".


Në procesin e demonizimit të Kinës, argumentet e këtyre zyrtarëve amerikanë janë bazuar kryesisht te politika e brendshme e ShBA-së. P. sh., në një memorandum prej 57 faqesh të Partisë Republikane të publikuar nga mediat amerikane, janë shënuar këshilla si “Mos mbroni Trump-in, por sulmoni Kinën".


Lidhur me marrëdhëniet Kinë-ShBA, Roach u shpreh që këta zyrtarë amerikanë kanë pikturuar një pamje të njëanshme, sipas së cilës Kina ka më shumë nevojë për ShBA-në. Por nga ana ekonomike, tha ai,“nuk ka asgjë më larg prej së vërtetës sesa kjo”. Konsumatorët amerikanë kanë nevojë për mallrat kineze, Departamenti amerikan i Financave ka nevojë për Kinën si blerësja më e madhe e borxhit federal të ShBA-së dhe ndërmarrjet amerikane kanë nevojë për tregun kinez, që është tregu i tretë më i madh i eksportit të vendit. Me një fjalë, thekson Roach, kjo është një marrëdhënie e dyanshme ndërvarësie dhe përkeqësimi i saj do të kishte një ndikim shumë destabilizues ndaj ekonomisë amerikane.