Drejtori ekzekutiv i Programit të Emergjencave Shëndetësore të OBSh-së tha se Wuhan-i mund të mos jetë vendi ku koronavirusi i ri kaloi nga kafshët te njerëzit, edhe pse vatrat e para të COVID-19 u raportuan aty.

Dr. Michael Ryan theksoi gjithashtu se duhet të bëhen "studime epidemiologjike" për të kuptuar plotësisht lidhjet në mes të rasteve:

"Homologët kinezë kanë dhënë informacion mbi hetimet e tyre fillestare, për shembull rreth tregut të peshkut në Wuhan dhe testimit që është bërë atje. Ka zbrazëtira në peizazhin epidemiologjik dhe nevojitet një studim epidemiologjik shumë më i gjerë, prapavajtës, i rasteve dhe vatrave të para në Wuhan, si dhe që të kuptohen plotësisht lidhjet mes këtyre rasteve, me qëllim që pastaj të përcaktojmë se ku, në Wuhan apo gjetkë, u kapërcye pengesa mes llojeve kafshë-njeri."

Ai theksoi nevojën për të filluar studimin e vatrave të para të raportuara të sëmundjes te njerëzit, për të gjetur "sinjalin e parë të kalimit të pengesës mes llojeve kafshë-njeri," para se të bëhen studime lidhur me virusin te kafshët.

Ryan-i bëri të ditur se ekipi pararojë i OBSh-së, që shkoi në Kinë në përgatitje për një mision ndërkombëtar për të identifikuar burimin zoonotik të COVID-19, e ka përfunduar misionin e vet kohët e fundit.