Bursat në ShBA patën një reagim të përzier të enjten, pasi të dhënat treguan se ekonomia e vendit pati një tkurrje masive në tremujorin e dytë.

“Dow Jones” dhe “S&P 500” ranë përkatësisht 0.8 për qind e 0.4 për qind, ndërsa “Nasdaq” u rrit mbi 0.4 për qind.

ShBA-ja ka pësuar rënien e saj më të madhe ekonomike të regjistruar, pasi PBB-ja e vendit u ul me gati 33 për qind në tremujorin e dytë, në kushtet e rritjes së rasteve të COVID-19.

Kjo është rënia më e madhe e prodhimit që kur qeveria amerikane filloi të regjistronte të dhënat në vitin 1947.

Kryeekonomisti i degës së “Mizuho Securities” në ShBA Steven Ricchiuto thotë se tkurrja mund të vazhdojë për një periudhë të gjatë:

"Mendoj se rimëkëmbja do të kërkojë kohë. Sidoqoftë, në këtë sfond, në tremujorin e dytë të vitit të ardhshëm ritmet e rritjes dhe PBB mund të kthehen në zero. Kjo nuk do të thotë kthim i ekonomisë në nivelin që ishte para mbylljes, por që pjesën kryesore të përkeqësimit të gjendjes do ta lëmë prapa brenda një periudhe 1-vjeçare".

Po ashtu, ka pasur një rritje për të dytën javë radhas të numrit të kërkesave fillestare për ndihmë papunësie pas shtimit të rasteve të COVID-19.

Më shumë se 1.4 milion njerëz paraqitën kërkesa për ndihmë papunësie javën e kaluar.