Një numër guvernatorësh shtetesh në ShBA fshikulluan administratën e Trump-it se nuk i është përgjigjur si duhet dhe në kohë shpërthimit të epidemisë COVID-19, pasi shtimi i rasteve të reja nuk ka të ndalur.

Në një artikull të botuar të enjten në “Washington Post”, guvernatori i Shtetit Maryland republikani Larry Hogan, e quajti trajtimin e pandemisë së koronavirusit nga presidenti Donald Trump si "pa shpresë".

"Kjo nuk duhej të ishte e nevojshme," shkroi Hogan. "Të shihja se si presidenti minimizoi ashpërsinë e shpërthimit dhe se si Shtëpia e Bardhë dështoi në lëshimin e paralajmërimeve publike, në hartimin e një strategjie që të mbulonte 50 shtetet dhe nuk arriti të dërgonte mjete mjekësore ose ventilatorë shhpëtimi nga stoku kombëtar në spitalet amerikane."

Guvernatori i Shtetit të New York, Andrew Cuomo tha të enjten se "paaftësia" e qeverisë federale në menaxhimin e krizës COVID-19 dështoi sidomos në New York, i cili u bë epiqendra e parë e shpërthimit në ShBA në mars.

"Ishte e tmerrshme dështimi në emër të qeverisë federale sepse kjo ishte detyra e tyre," tha ai ndërsa komentoi një raport të ri nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC). "Qeveria dështoi në këtë punë ... dhe ata ende nuk po ndjekin shkencën".

"Mungesa e kompetencës qeveritare” do ta dëmtojë për herë të dytë Nju Jorkun, tha ai.

Shtetet e Bashkuara janë sot vendi më i goditur nga COVID-19 me mbi 3.57 milionë raste dhe 138 mijë vdekje deri tani. (Albana)