
Vendimi i ShBA-së për t'u tërhequr nga Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shkaktuar kritika të gjera si brenda, dhe jashtë vendit.
ShBA-ja ia paraqiti zyrtarisht njoftimin për tërheqjen të martën Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.
Ish-zv.presidenti Joe Biden, kandidati i Partisë Demokratike për t'u përballur me presidentin Donald Trump në zgjedhjet e përgjithshme në nëntor, thotë se ai do ta rikthejë vendin në OBSh nëse zgjidhet.
Epidemiologu Eric Feigl-Ding nga Universiteti i Harvardit shprehet se tërheqja mund të tregojë se ShBA-ja nuk dëshiron të ndajë të drejtat e patentave lidhur me vaksinat e COVID-19:
"Ata duan përparësinë dhe, gjithashtu, nëse anëtarësohen në OBSh, kompanitë që i bashkohen asaj duhet të heqin dorë nga disa të drejta për patentën, dhe kompanitë amerikane nuk duan ta bëjnë këtë. Gjithashtu, ShBA-ja dëshiron ta sigurojë vaksinën për vete së pari, kështu që priret të bëjë partneritet me Mbretërinë e Bashkuar në një grup të ndryshëm."
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Zhao Lijian, paralajmëroi se tërheqja do të dëmtojë luftën globale kundër COVID-19:
"Ndërsa lufta ndërkombëtare kundër COVID-19 tani është në një fazë vendimtare, është një konsensus ndërkombëtar që mbështetja ndaj OBSh-së është një mbështetje për bashkëpunimin ndërkombëtar antipandemik dhe shpëtimin e jetës. Tërheqja e ShBA-së do ta dobësojë luftën ndërkombëtare kundër pandemisë dhe do të ketë një ndikim të madh negativ mbi vendet në zhvillim që kanë nevojë urgjente për ndihmë ndërkombëtare."
Zëdhënësja e qeverisë gjermane Martina Fietz thotë se duhet të mbështetet puna e OBSh-së dhe se tërheqja e ShBA-së nuk e ndihmon bashkëpunimin ndërkombëtar.







