Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka pranuar se po dalin prova për përhapjen nga ajri të koronavirusit të ri.

Kjo pasoi kërkesën e një grupi shkencëtarësh që OBSh-ja të rishikojë udhëzimin se si përhapet COVID-i te njerëzit.

Drejtuesja teknike për parandalimin dhe kontrollin e infeksioneve e OBSh-së Benedetta Allegrazzi (Benedeta Alegraci) u shpreh se po shfaqen prova që koronavirusi mund të përhapet nëpërmjet ajrit, por ato nuk janë përfundimtare:

"Ne e pranojmë që ekzistojnë prova në këtë fushë, si në të gjitha fushat e tjera në lidhje me virusin dhe pandeminë e COVID-19, dhe prandaj besojmë se duhet të jemi të hapur ndaj këtyre provave".

Më shumë se 200 shkencëtarë nga 32 vende publikuan një letër në një revistë të hënën, duke paraqitur provat që tregojnë se koronavirusi mund të përhapet me anë të ajrit.

OBSh-ja më parë ka thënë që virusi përhapet kryesisht nëpërmjet spërklave të dala nga hunda dhe goja e një njeriu të infektuar.