Foto: RTSH

Foto: RTSH

“Fuqizimi Evropian i Rinisë Akademike Shqiptare” është një ndër projektet që po realizohet në kuadër të programit “Tirana Europian Youth Capital 2022”.

Synimi i projektit të prezantuar të martën në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, është rritja e kapaciteteve të të rinjve shqiptarë në fushën e inovacionit, kërkimit shkencor, bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe në hartimin e projekteve inovative në fushën e arsimit të financuara nga BE-ja, bën të ditur “RTSH”.

Pjesë e këtij projekti janë edhe pedagogë nga diaspora, mes të cilëve edhe Valentina Ndou, pedagoge në Itali në Universitetin e Salentos në departamentin e inxhinierisë dhe informacionit.

“Shqipëria ka shumë nevojë për nisma që të ngrenë kapacitetet e rinisë akademike, që ata sapo të fusin këmbët në universitet të dinë cila është rruga që duhet të ndjekin për të ndërtuar një sistem universitar që të kontribuojë në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. Të gjitha diplomimet, masterat duhet të jenë në përputhje me atë që kërkon tregu në mënyrë që t’i shërbejnë vendit”, -u shpreh Ndou.

Ky projekt synon të kontribuojë në krijimin e kapaciteteve të nevojshme për të përballuar sfidat me të cilat përballet sot rinia në lidhje me arsimin, formimin, pjesëmarrjen në vendimmarrje dhe inovacionin.

Për realizimin e këtyre objektivave, ky projekt do të realizojë takime me target grupin për 7 fushat strategjike, ku do të organizohen takime dhe workshop-e informuese, ndërgjegjësuese dhe trajnuese për të promovuar kontributin shkencor të akademikëve të rinj dhe pjesëmarrjen e tyre në projekte të ndryshme evropiane.

Çdo fushë do të trajtojë 2 tema thelbësore, duke realizuar në total 14 tema. Janë 7 ekspertë, 5 nga diaspora shqiptare dhe 2 vendas që do të përfshihen për realizimin e këtyre takimeve. (Elona)