Sportistja italiane Lara Colturi, e cila është pajisur me pasaportë shqiptare, do të përfaqësojë Shqipërinë në kampionatin e skive.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, i ka dorëzuar pasaportën sportistes, ku thotë se me të Shqipëria i ka të gjitha shanset të ketë kampione olimpike.

Gjithashtu pasaporta i është dhënë dhe nënës së sportistes, Daniela Ceccarelli, një ish-kampione olimpike në sportin e skive, e cila do të drejtojë ekipin kombëtar shqiptar në sportin e skive, raporton “RTSH”.

“Kënaqësi e veçantë t’i jap pasaportën shqiptares më të re, Lara Colturi, e cila do të garojë së shpejti me flamurin shqiptar në sportin e skive. Me kombësi dhe gjithashtu shtetësi italiane, Lara është një sportiste plot talent dhe shumë premtuese, me të cilën Shqipëria i ka të gjitha shanset të ketë një kampione olimpike. Edhe nëna e Larës, Daniela Ceccarelli, një ish-kampione olimpike në sportin e skive, tashmë do të drejtojë ekipin kombëtar në këtë disiplinë. Mbarë e mirë në karrierën tuaj tashmë për flamurin kuqezi dhe ta gëzoni pasaportën shqiptare”, -shkroi ministri Çuçi në rrjetet sociale.

Ai falënderoi presidentin e Federatës së Skive, Elvis Toçi, dhe kryetarin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, që falë vendosmërisë së tyre dhe kontributit të çmueshëm kjo nismë u kurorëzua me sukses. (Irma)