Policia per tifozet RTSH

Policia per tifozet RTSH

Përplasja e grupeve të tifozerive në prag të finales së Ligës së Konferencës në Tiranë ka rezultuar në dhunë, shkatërrime e të lënduar. Policia e Shtetit njofton se tifozët holandezë dhe italianë janë përplasur fillimisht me njëri-tjetrin dhe më pas me efektivët e policisë të cilët kanë ndërhyrë, por kanë hasur në dhunën e tifozerisë së të dy skuadrave.

Si pasojë e dhunës së ushtruar, 19 punonjës të Policisë së Shtetit kanë mbetur të plagosur, ndërsa njëri prej efektivëve është goditur me thikë. Po ashtu, janë dëmtuar edhe katër automjete shërbimi të Policisë së Shtetit, raporton “RTSH”.

Policia bën të ditur se 60 tifozë të të dyja skuadrave janë shoqëruar në ambientet e Policisë së Shtetit, nga të cilët 48 shtetas italianë dhe 12 shtetas holandezë. Po ashtu, janë sekuestruar leva, doreza hekuri, shkopinj druri, gurë, thika, lëndë piroteknike.

Ndërkaq, mëngjesin e 25 majit janë deportuar nëpërmjet Portit të Durrësit, 80 tifozë italianë, për të cilët, sipas njoftimit, do të ndiqen procedurat përkatëse me Federatën Italiane të Futbollit, për përjashtimin nga ambientet sportive.