Rama Panairi - Koha jone

Rama Panairi - Koha jone

1500 vende të lira pune nga 63 biznese, ndër më të mëdhatë në rajon, ofrohen në Panairin e Punës dhe Aftësive në Durrës. Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në panair, teksa iu drejtua atyre që mendojnë të largohen jashtë vendit për të punuar, u shpreh se paga mesatare në Shqipëri është rritur me 8% dhe bizneset po ashtu ofrojnë paga shumë konkurruese.

“Është gjithmonë një mundësi për të bërë një zgjedhje midis punësimit këtu në vendin tonë dhe ikjes për të kërkuar punë gjetkë. Në emigracion ka rroga më të larta, por ka edhe shpenzime më të larta”, -tha Rama, transmeton “RTSH”.

Duke pranuar se ka ende punë për të bërë me punësimet dhe nivelin e pagave në vend, kryeministri theksoi se në vend pagat vijojnë të rriten dhe se tregu ka nevojë për krah pune të edukuar.

“Sot kemi afro 20 mijë nxënës të regjistruar në shkollat profesionale. Ne duam të vazhdojmë të gjithë se bashku në këtë drejtim. E di që në rrugën e punësimit dhe në funksion të plotësimit të ambicies dhe nevojës për të rritur pagën duhet punë. Por di që sot mjafton që kushdo të bëjë një xhiro në infrastrukturën hoteliere në Durrës, për të parë se ka nevojë të ethshme për krah pune në të gjitha pozicionet, që nga kamerierët e nivelit bazik deri te menaxherët dhe për të parë se pagat janë një realitet krejt ndryshe nga ai që përflitet prej disa vitesh, sipas të cilit paga në Shqipëri është 30 mijë lekë. Nuk është kështu. Në Shqipëri pagat vazhdojnë të rriten. Ka nevojë të madhe tregu sot për krah pune të edukuar. Ka nevojë për të gjithë sektorët”, -u shpreh kryeministri.