Më datë 13 qershor 2022 ishte planifikuar më parë që Shqipëria të luante ndaj Rusisë në kuadër të Ligës B të Ligës së Kombeve të Evropës. Por pas vendimit të UEFA-s për pezullimin e Rusisë, Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) vendosi që të shfrytëzonte këtë datë zyrtare për të organizuar një miqësore. Kështu, Kombëtarja shqiptare, në vend të përballjes me Rusinë, do të luajë një miqësore me Estoninë, bën të ditur “RTSH”.

Organizmi që qeveris futbollin në vend ka bërë të ditur se ka arritur akordin me Federatën Estoneze që kjo ndeshje të luhet më 13 qershor 2022 në stadiumin “Arena Kombëtare” të Tiranës.

Shqipëria do të luajë më 6 qershor me Islandën në fushë të huaj dhe më 19 qershor me Izraelin në shtëpi, që të dyja sfida të vlefshme për Ligën e Kombeve. Kjo do të jetë hera e katërt që Shqipëria dhe Estonia do të përballen në një ndeshje futbolli, të gjitha ndeshje miqësore. Sfida e parë Shqipëri-Estoni është luajtur më 15 nëntor 2003 në Tiranë dhe u fitua nga kuqezinjtë me rezultatin 2-0.

Përballja e dytë është ajo e 28 prillit 2004, e luajtur në Talin të Estonisë dhe përfundoi në barazim 1-1. Ndërsa sfida e tretë Estoni-Shqipëri është zhvilluar më 14 nëntor 2009 dhe ka përfunduar në barazim 0-0. Edhe kjo miqësore u luajt po në Talin. (Irma)