Për herë të parë në Shqipëri do të jenë të disponueshme ekspozita dhe muze digjitalë. Gjatë një interviste për “RTSH”, artistët Uiled Dallto dhe Era Canaj deklaruan se qëllimi i këtij muzeu është promovimi i artit bashkëkohor dhe artit digjital.

Sipas Dallto, për muzeun digjital është përdorur platforma e “videogame” dhe është e aksesueshme nga të gjithë.

“Muzeu është i aksesueshëm në internet. Kemi përdorur platformën e “videogame”. Brenda muzeut ka shumë lehtësira. Është teatri brenda dhe ne kemi vendosur që të jetë një arkivë për të gjithë performancat e muzikës klasike. Së shpejti do të dalë dhe me pajisjen VR, duke pasur dhe eksperiencën meditative që mund të navigosh sikur je në një muze real”, -tha Dallto.

Në këtë muze do të prezantohet arti shqiptarë, por edhe eksperienca të huaja. Nisma është ndërmarrë në bashkëpunim me OJF dhe po punohet që të jetë gjithnjë falas. Synimi është që çdo muaj të organizohet nga një ekspozitë nga artistë digjitalë.

Nga ana e saj violinistja Canaj tha se muzeu digjital është një vitrinë virtuale me ekspozita të ndryshme ku çdo artist do të ketë mundësi të shpalosë artin e tij.

“Është mjaft tërheqëse për publikun që një koncert përveçse të jetë në një hapësirë alternative të ketë dhe një ekspozitë dhe një shtresëzim të dy arteve për të përcjellë te publiku”, tha Canaj. (Irma)