Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, deklaroi se janë rritur me 30% kapacitetet testuese në laboratorin e referencës së Institutit të Shëndetit Publik, falë investimit në aparatura të reja të teknologjisë së fundit, si pjesë e planit për t’iu përgjigjur situatës pandemike.

Gjatë vizitës në laboratorin e referencës në Institutin e Shëndetit Publik, Manastirliu tha se po merren masat për përballimin e situatës së epidemisë në vend, ku aktualisht mbizotëron varianti Omicron në 95% të rasteve.

Ministrja Manastirliu theksoi se në të gjithë vendin janë 330 pika për kryerjen e testit të antigjenit dhe shtoi se nuk janë ndalur në asnjë moment përpjekjet për testimin e shpejtë dhe PCR.

Ajo theksoi se po punohet për të pasur projektin e zbatimit për forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve të Institutit të Shëndetit Publik.

Ministrja apeloi sërish qytetarët për kryerjen e vaksinës anti-Covid, duke theksuar rëndësinë e dozës përforcuese për uljen e shtrimeve në spitale dhe formave të rënda të sëmundjes. (Irma)