Foto:Balkan web

Foto:Balkan web

Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka, ka mbajtur fjalimin e saj të parë në Këshillin e Sigurimit në OKB, ku Shqipëria merr pjesë për herë të parë si anëtare jo e përhershme. Me fokus diskutimi “Gratë, paqja dhe siguria”, ministrja e Jashtme e Shqipërisë e vuri theksin te sfidat me të cilat gratë vijojnë të përballen edhe në ditët e sotme. “Është një e vërtetë e trishtuar e historisë, por është gjithashtu një e vërtetë e trishtuar e ditëve dhe epokës sonë që ndërsa burrat aktualisht shkaktojnë pjesën më të madhe të luftimeve, gratë shpesh mbajnë peshën kryesore të tyre”, -tha Xhaçka.

Ministrja Xhaçka më tej në fjalën e saj e vuri theksin te prioriteti i qeverisë sa i përket barazisë gjinore.

“Jam krenare që barazia gjinore është një prioritet i lartë për qeverinë shqiptare, jo vetëm me fjalë dhe politika, por edhe me veprime e arritje konkrete. Shqipëria renditet aktualisht ndër 5 qeveritë e para me barazi gjinore të balancuar, me 75% të posteve ministrore të mbajtura nga gratë. Një përqindje e ngjashme e posteve ekzekutive të nivelit të lartë dhe të mesëm, si dhe disa nga postet kryesore më të larta publike, duke përfshirë institucionet e pavarura, agjencitë, departamentet në fusha kyçe të shtetit, mbahen nga gratë”, -vijoi Xhaçka.

Ministrja bëri të ditur edhe katër pikat që Shqipëria propozon për mbrojtjen e grave dhe përfaqësimin e tyre.

“Së pari, të mbështesim dhe të vëmë në dispozicion burime për organizatat relevante të OKB-së për të ofruar të gjithë mbrojtjen dhe mbështetjen e nevojshme për gratë aktiviste të të drejtave të njeriut. Së dyti, të krijojmë mekanizma financimi fleksibël të afta për të vepruar shpejt dhe për t'u përgjigjur me shpejtësi kur gratë lidere përballen me kërcënime dhe akte ndëshkimore.

Së treti, të rrisim fondet për organizatat dhe lëvizjet për të drejtat e grave dhe së katërti, të rrisim llogaridhënien në lidhje me gratë, paqen dhe sigurinë duke pasur një qasje me tolerancë zero ndaj akteve hakmarrëse kundër grave aktiviste dhe mbrojtësve të të drejtave të njeriut”, -përfundoi Xhaçka. (Elona)