Foto: VCG

Foto: VCG

Biznesi dhe konsumatorët kanë rritur besimin në ekonominë e vendit dhe pritshmërinë për rritje në një pjesë të mirë të sektorëve.

“Treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) u rrit me 0.9 pikë në muajin nëntor, pasi kishte regjistruar rënie në tre muajt e mëparshëm. Niveli aktual i tij qëndron 8 pikë mbi mesataren afatgjatë”, -bëri të ditur Banka e Shqipërisë.

Vrojtimi i besimit të biznesit dhe konsumatorëve në ekonomi, publikuar nga BSH-ja, thekson se rritja e TNE-së u përcaktua kryesisht nga përmirësimi i besimit në sektorin e ndërtimit.

“Besimi në sektorët e industrisë dhe të tregtisë regjistroi rënie të lehtë, ndërsa besimi në sektorin e shërbimeve mbeti pothuaj në të njëjtin nivel me muajin e mëparshëm. Besimi konsumator regjistroi gjithashtu përmirësim në muajin nëntor”, -thuhet në raportin e vrojtimit.

Ndërkohë, ekonomia në Shqipëri po ndjek trajektoren e rritjes së qëndrueshme. Sipas të dhënave nga INSTAT-i, produkti i brendshëm bruto në tremujorin e dytë të vitit 2021 vlerësohet me rritje prej 17.89%, kundrejt tremujorit të dytë të vitit 2020.

Rritja ekonomike në tremujorin e dytë u mbështetet nga një gamë më e gjerë sektorësh, ku dominojnë turizmi me shërbimet, aktiviteti tregtar dhe degë të tjera, sidomos telekomunikacioni dhe shërbimet financiare. (Elona)