Nga një qendër shëndetësore në Krujë, ku ndoqi nga afër procesin e vaksinimit, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, informoi se kanë siguruar vaksinat anti-Covid falas në çdo komunitet, afër vendbanimit, falë punës së vaksinatorëve në rrjetin e qendrave shëndetësore në të gjithë vendin.

Bashkë me apelin drejtuar qytetarëve për t’u vaksinuar, Manastirliu kërkoi veçanërisht nga mjekët e familjes që të informojnë qytetarët mbi përfitimet e vaksinimit.

Ndërkohë qeveria po siguron furnizimin e pandërprerë me vaksina anti-Covid.

Edhe 31.590 doza vaksine “Pfizer” mbërritën të hënën në mbrëmje në aeroportin “Nënë Tereza”, duke e çuar në 2.045.310 sasinë e vaksinave që kanë mbërritur deri tani në Shqipëri.

Që nga fillimi i fushatës “Shqipëria buzëqesh” janë kryer mbi 1.6 milionë vaksinime në gjithë vendin.

Krahas pikave të përqendruara dhe qendrave shëndetësore, vaksinimi po vijon në çdo universitet të vendit. (Elona)