Në Tiranë u zhvillua të enjten ceremonia e promovimit të romanit "Të jetosh", i autorit kinez Yu Hua, që vjen në shqip i përkthyer nga sinologu Iljaz Spahiu.

Veprimtaria u organizua nga shtëpia botuese “Onufri” dhe Shoqata Kulturore Shqipëri-Kinë. Në event ishin të pranishëm zv.ambasadori i Ambasadës së Kinës në Shqipëri, Bai Yunbing, drejtorja e palës kineze e Institutit “Konfuci” në Tiranë, Zhang Xiaoying, përfaqësues të shtëpive botuese si dhe miq të librit.

Drejtoresha e “Onufrit”, Enxhi Hudhri, që çeli veprimtarinë, foli në lidhje me botimin e këtij libri dhe interesin që ai ka gjetur te lexuesit shqiptarë.

Sinologu Spahiu bëri një prezantim të shkurtër të autorit dhe përmbajtjes së romanit, ku përshkruhet vendosmëria e njeriut për ta jetuar jetën deri në fund, pavarësisht tragjedive dhe vuajtjeve të pafundme e ekstreme me të cilat e përball jeta. Zëvendësambasadori kinez Bai Yunbing vleresoi bashkëpunimin në fushën e përkthimit dhe botimit, si një aspekt i rëndësishëm për thellimin e njohjes së ndërsjellë mes dy popujve.

Në takim u transmetua edhe videomesazhi i shkrimtarit Yu Hua me rastin e botimit në shqip të romanit të tij, gjë që sipas tij ka një domethënie të rëndësishme, pasi ai është rritur në vitet e lulëzimit të miqësisë kinezo-shqiptare.

Romani është pjesë e programit të bashkëpunimit mes dy vendeve për përkthimin dhe botimin e ndërsjellë të 25 tituj librash. Ai vjen në vazhdën e disa veprave letrare të autorëve kinezë të përkthyera nga Iljaz Spahiu dhe të botuara nga “Onufri”. (Irma)