Foto: VCG

Foto: VCG

Korriku dhe gushti kanë shënuar një dyndje të turistëve të huaj përmes charter-ave në Shqipëri, duke tejkaluar ndjeshëm edhe nivelet e parapandemisë. Krahas hyrjeve të shtetasve të rajonit, në verë janë rikthyer turistët nga vendet e tjera të Evropës e më gjerë, ndërsa janë shtuar edhe destinacione të reja.

Shtimi i turistëve është reflektuar dhe në rritjen e ndjeshme të trafikut të charter-ave në aeroportin e Rinasit. Sipas të dhënave zyrtare nga Tirana International Airport (TIA), në total, pasagjerët që kanë udhëtuar me “charter” për periudhën korrik-gusht 2021 ishin rreth 174 mijë, me një rritje prej 15% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019, bën të ditur “Monitor”.

Shqipëria u deklarua këtë verë si një vend pa Covid nga ana e qeverisë duke hapur dyert për të gjithë turistët. Kjo nxiti shtetas nga shtete të ndryshme që të vinin në Shqipëri, duke shmangur në këtë mënyrë kufizimet që mund të hasnin në vende të tjera, sidomos në Europën Perëndimore.

Polakët ishin të parët që konfirmuan rinisjen e fluturimeve charter nga 25 maji. Të dhënat e TIA-s tregojnë se ata janë grupi më i madh i turistëve që kanë ardhur përmes ajrit, me një rritje të ndjeshme nga 2019-a. Për periudhën korrik-gusht, përmes TIA-s kanë fluturuar rreth 81 mijë pasagjerë me chartera-a të nisur nga qytetet polake, pothuajse në dyfishim në raport me të njëjtën periudhë të 2019-s.

Të dytët janë ukrainasit. Në korrik-gusht nga Ukrania në Rinas dhe anasjelltas fluturuan 38.5 mijë pasagjerë, ose 65% më shumë se e njëjta periudhë e para pandemisë. Në rënie të ndjeshme ishin shtetasit nga Izraeli.

Pavarësisht rritjes së ndjeshme të trafikut në korrik e gusht, për 8-mujorin tendenca mbetet në rënie për shkak të ecurisë së dobët për periudhën janar-qershor. Sipas të dhënave të tjera të INSTAT për 6-mujorin e parë, hyrje-daljet e shtetasve të huaj përmes ajrit ranë me 46% në krahasim me të njëjtën periudhë të 2019-s. (Elona)