“Digital Jobs Albania” është një nismë e re e Bankës Botërore që synon të ndihmojë gratë në Shqipëri të zgjerojnë aksesin ndaj mundësive për punësim online dhe të vendosin lidhje me ekonominë globale. Nisma do të ofrojë një kurs trajnimi intensiv 3-mujor për aftësitë digjitale për vajzat dhe gratë e moshës 16-35 vjeç, duke i pajisur ato me njohuritë e duhura që u mundëson akses në punësimin online si profesioniste të lira për dizajn grafik, krijim faqesh në internet dhe marketing digjital, bën të ditur “ATSH”.

Zhvillimi i tregjeve të punës online për profesione të lira po ofron mundësi të reja për shqiptarët që të lidhen me ekonominë globale. Faqet e internetit si “Upwork”, “Fiverr” dhe “People Per Hour” u japin mundësi shqiptarëve që zotërojnë aftësitë e duhura, të punojnë online për projekte të porositura nga kompani dhe individë kudo në botë, pa qenë nevoja të lëvizin nga vendbanimi i tyre.

Veçanërisht gratë pritet që të përfitojnë nga këto mundësi të reja punësimi. Shkalla e pjesëmarrjes në forcën e punës së grave në Shqipëri është ende 14.6 pikë përqindje më e ulët se sa ajo e burrave. Sipas të dhënave të vitit 2020 të Institutit Kombëtar të Statistikave të Shqipërisë (INSTAT), hendeku gjinor i pagave mbetet 6.6 për qind.

Nisma “Digital Jobs Albania”, e zbatuar në partneritet me qeverinë e Shqipërisë, do të ofrojë një program trajnimi online për të pajisur pjesëmarrësit e përzgjedhur me aftësi teknike të kërkuara nga tregu i punës. (Elona)