Kancelarja gjermane Angela Merkel ka mbështetur nismën “Ballkani i hapur” duke e cilësuar një bashkëpunim që fuqizon Procesin e Berlinit të iniciuar nga ajo vetë. Në vizitën e fundit në Tiranë në detyrën e kancelares gjermane, Merkel tha se mbështet projektin e tregut të përbashkët rajonal dhe se sa më shumë të bashkëpunohet në këtë kontekst, aq më i fuqishëm do të jetë Procesi i Berlinit.

Në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama, kancelarja Merkel tha po ashtu se Bashkimi Evropian duhet të mbajë premtimin sa i takon procesit të integrimit, nëse sheh se kushtet e përcaktuara janë plotësuar, pasi në të kundërt shkakton zhgënjim dhe thyerje të besimit në vendet e tjera. Kancelarja Merkel tha se vetoja e vendosur nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut nuk është diçka e re për BE-në, por theksoi se kjo krizë do të kalojë dhe konferenca e ndërqeveritare do të jetë shumë shpejt.

Kancelarja gjermane tha se nuk ka ndërmend të luajë rol aktiv politik, por do të jetë gjithmonë mike e rajonit të Ballkanit.

Ndërsa kryeministri Rama shprehu mirënjohje për mbështetjen e kancelares Merkel ndaj Ballkanit Perëndimor. Sipas tij, pavarësisht shumë sfidave që mbeten të pazgjidhura, pa kancelaren Merkel Ballkani nuk do të ishte njësoj si sot. (Elona)