Foto: VCG

Foto: VCG

Emigrantët shqiptarë po dërgojnë më shumë para në shtëpitë e tyre, niveli më i lartë që nga viti 2012-të, njofton revista “Monitor”.

Emigrantët u kanë dhënë të afërmve të tyre mbi 340 milionë euro në 6 muajt e parë të vitit, sipas të dhënave të bilancit të pagesave, të bëra publike nga Banka e Shqipërisë. Ky është niveli më i lartë i regjistruar që nga viti 2012.

Në raport me janar-qershor 2020, kur vendi po vuante pasojat e pandemisë dhe mbylljes së Evropës, remitancat janë rritur me 25%. Në krahasim me periudhën përkatëse normale të 2019-s, zgjerimi është më i lehtë, me rreth 2.2%.

Operatorët e tregut pohojnë se gjatë periudhës së kufizimeve të udhëtimeve janë rritur kanalet informale, pasi mbyllja e kufijve ka ndikuar në orientimin drejt operatorëve zyrtarë. Ndërsa në tremujorin e tretë të vitit, me rritjen e numrit të fluturimeve, kanalet informale janë rritur sërish.

Italia dhe Greqia vijojnë të mbeten kanalet kryesore të dërgimit të parave në Shqipëri, për shkak të numrit të lartë të emigrantëve që jetojnë e punojnë në shtetet fqinje. Por, vitet e fundit, po rriten edhe prurjet nga vendet e reja të emigrimit, kryesisht Mbretëria e Bashkuar dhe sidomos Gjermania. Aktorët e tregut pohojnë se Gjermania, për vetë faktin që është në tipologjinë e një vendi me emigracion të ri, gjatë viteve të fundit ka qenë në një rritje konstante.

Trendi i remitancave ka ndjekur në tri dekadat e fundit një tendencë ciklike, duke kulmuar në vitin 2008 dhe më pas filloi rënia, teksa me kalimin e më shumë se një dekade, emigrantët filluan të shkëpusin lidhjet me vendin mëmë, të krijonin familjet e tyre dhe të dërgonin më pak para.

Por vitet e fundit, vendi po përjeton një valë të re emigracioni, që solli sërish një rritje të remitancave, që pas vitit 2013. (Fatosi)