[Foto: VCG]

[Foto: VCG]

Korriku dhe gushti kanë qenë muaj shumë të zënë për aeroportin kryesor në vend, duke i tejkaluar nivelet e parakrizës për të njëjtën periudhë dhe duke rikuperuar ndjeshëm humbjet e periudhës së pandemisë.

Burime zyrtare të TIA-s bënë të ditur për “Monitor” se për periudhën korrik-gusht 2021 kanë udhëtuar gjithsej (hyrje-dalje) rreth 983 mijë pasagjerë, me një rritje prej 21.3% në krahasim me të njëjtën periudhë të 2019-s, që deri tani kishte qenë viti më i mirë i turizmit. Ndërsa në raport me korrik-gusht 2020, kur vendi po vuante pasojat e krizës, zgjerimi është 76%.

Vetëm në korrik, trafiku i pasagjerëve ishte 9.6% më i lartë se në të njëjtin muaj 2019 (+70% me 2020-n), ndërsa në gusht rritja ishte më e fortë në gati 32% (+82% me të njëjtin muaj të 2020-s).

Pavarësisht rritjes së ndjeshme të trafikut në korrik e gusht, për 8-mujorin tendenca mbetet në rënie për shkak të ecurisë së dobët për periudhën janar-qershor. Sipas të dhënave të tjera të INSTAT për 6-mujorin e parë, hyrje-daljet e shtetasve të huaj përmes ajrit ranë me 46% në krahasim me të njëjtën periudhë të 2019-s.

Sipas të dhënave nga TIA, trafikun e rrugëve për korrik-gushtin e këtij viti e kryeson Londra. (Irma)