Fermat organike (ATSH)

Fermat organike (ATSH)

Fermerët dhe bizneset e agroturizmit po rrisin interesin për të investuar në ferma organike dhe rritjen e prodhimit bujqësor bio, që janë mjaft të kërkuara krahas eksportit edhe nga vizitorët, turistët vendas dhe të huaj.

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural bën të ditur se janë 122 fermerë aplikantë të kualifikuar për Masën 5 të Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2021, që përfitojnë financim për zgjerimin e fermave organike.

Ndërsa 45 fermerë të tjerë janë kualifikuar përfitues të subvencioneve nga qeveria, për certifikimin “Global Gap”, citon “ATSH”.

Fermat organike, për vitin e parë, përfitojnë financim në vlerën 100 000 lekë, në vitin e dytë, 150 000 lekë dhe 200 000 lekë për fermë të certifikuar.

Sipas kritereve që ka miratuar qeveria për subvencionet në bujqësinë organike, bizneset e kësaj linje përfitojnë mbështetje për ngritjen ose rikonstruksionin e ambienteve të prodhimit të produkteve tradicionale të zonës.

Qeveria mbështet fermat bujqësore organike, krahas certifikimit të produkteve bujqësore me standardet europiane, Global GAP, si faktor të rëndësishëm në nxitjen e eksporteve të sigurt “Made in Albania”, drejt tregjeve ndërkombëtare.

Sipas statistikave të MBZHR, janë rreth 200 biznese organike në të gjithë vendin të përfaqësuara nga ferma bujqësore. (Irma)