Grupi i parë i afganëve në Shqipëri do të vendoset në 7 godina në Qytet Studenti. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili inspektoi ambientet, siguroi se nuk po sakrifikohen studentët, pasi sipas tij ka mjaftueshëm kapacitet duke qenë se pak studentë qëndrojnë momentalisht në këto godina në Qytetin Studenti.

Studentët janë transferuar në një godinë, ndërsa në tetor, sipas kryebashkiakut, të gjitha godinat në Qytetin Studenti do të jenë në dispozicion të studentëve. Sipas tij, afganët do të transportohen më pas në hotelet në bregdet, që në atë periudhë janë liruar edhe nga fluksi i turistëve.

"Do të strehohen në 7 godina me kapacitet 1200 shtretër. Nuk sakrifikojmë studentët për të strehuar afganët. Nuk bën logjikë që një godinë të rrijë e hapur për një student që ka provim në vjeshtë”,- tha Veliaj, ndërsa përmendi edhe faktin që edhe shqiptarët kanë qenë një komb emigrant, duke kërkuar sensibilizim.

“Ne jemi një popull me zemër të madhe. Kemi qendra sociale, kur bie borë e kur bën ftohtë nuk lëmë asnjë rrugëve. E për sa kohë që çdo njeriu të uritur i japim ushqim e çdo njeriu të pambrojtur i japim strehë, kjo duhet të vlejë për këdo. E kemi bërë këtë me shumë valë të emigrantëve sirianë, që tranzitojnë nëpër Tiranë për të vazhduar diku tjetër dhe nuk ka asnjë çudi që do ta bëjmë këtë për këdo që ka nevojë të tranzitojë përkohësisht në vendin tonë, teksa kërkon një të ardhme më të sigurt për familjen e tij”, - tha Veliaj. (Elona)