
EU4Culture, takim për restaurimin e 6 siteve të trashëgimisë kulturore
Në kuadër të programit të BE EU4Culture është zhvilluar një takim midis palëve të interesit dhe ekspertëve të fushës në funksion të propozimeve për ndërhyrjet e rivitalizimit dhe ruajtjes së 6 siteve të trashëgimisë kulturore: Muzeu Etnografik në Kruje, Torra Veneciane dhe Hamami në Durrës, Muzeu Etnografik në Kavajë, Teatri Kombëtar i Kukullave dhe Ura e Kurcajt.
Programi financohet nga Bashkimi Europian dhe zbatohet nga UNOPS në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Kulturës, me një vlerë prej 40 milionë euro.
Qëllimi i projektit është të restaurojë sitet e trashëgimisë kulturore të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019.
Ky projekt, përpos restaurimit synon të investojë edhe në rivitalizimin e siteve me qëllim për të kontribuar në rimëkëmbjen socio-ekonomike të Shqipërisë duke përmirësuar potencialin e saj të turizmit.
Palët e interesit dhe ekspertë të profileve të ndryshme të trashëgimisë kulturore u ftuan me qëllim shkëmbimin e pikëpamjeve dhe diskutimin e ndërhyrjeve të propozuaruara.
Të gjitha sitet e projektit do t’u nënshtrohen disa fazave të ndërhyrjes duke filluar nga restaurimi dhe konservimi i strukturës, interpretimi, menaxhimi i trashëgimisë kulturore, plani i biznesit dhe menaxhimi i riskut ndaj katastrofave natyrore.
Përgatiti: N. Kraja







