
Josep Borrell
Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, deklaroi se BE-ja duhet ta mbajë të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor në rrugën evropiane.
Duke folur në Forumin e Dubrovnikut, Borrell tha se BE-ja është kombinimi më i mirë i lirive politike dhe i përparimit ekonomik, si dhe i solidaritetit shoqëror në botë. "Ne nuk jemi të përsosur, por jemi më të mirët, prandaj duhet të vazhdojmë me të gjithë ata që e ndajnë vizionin tonë. Kjo do të thotë të ruajmë vëmendjen në Ballkanin Perëndimor", -tha Borrell.
Kreu i politikës së Jashtme të BE, Borrell tha se dalja nga pandemia e koronavirusit duket në horizont, por shtoi se të gjithë duhet të qëndrojnë zgjuar, për shkak të varianteve të reja që shfaqen. Sipas tij, një nga pasojat e pandemisë do të jetë një botë gjithnjë e më e pasigurt, më pak e barabartë dhe më pak e lirë.
“Pabarazia do të jetë e dukshme jo vetëm midis vendeve, por edhe brenda secilit vend individual”, tha ai.
Borrell tha se është e rëndësishme se si BE-ja do të pozicionohet në trekëndëshin me SHBA-në dhe Kinën, e cila, sipas tij, po bën zhvillim të mahnitshëm ekonomik. (Fatosi)







