Shqiptarët e shohin arsimin e mirë si arritjen më të madhe në jetë. Pas arsimit shohin si arritje një punë të mirë. Rezultatet dolën nga Barometri i Ballkanit 2021 që zhvilloi Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal. Pyetjes “Çfarë mendoni se është më e rëndësishme për të bërë në jetë?”, shqiptarët në shumicë zgjodhën si më të rëndësishëm arsimin, pasi 82 për qind të anketuarve vlerësuan si arritjen më të madhe. Kjo zgjedhje ishte më e lartë se në shtete e tjera të Ballkanit. Për shembull, vetëm 54 për qind e boshnjakëve e konsideruan më të rëndësishmin arsimin si arritje në jetë, 54% e maqedonasve, 60 për qind e malazezëve dhe 45% e serbëve. Ndërsa 54% e shqiptarëve në Kosovë e vlerësuan si arsimin si zgjedhje të rëndësishme në jetë, shkruan “Monitor”.

Si arritja e dytë më e rëndësishme në jetë për shqiptarët është puna. 69 për qind e të anketuarve e kanë zgjedhur punën si arritjen e dytë më të madhe në jetë, përqindja më e lartë rajonale. 58% e boshnjakëve e shohin punën si arritjen më të madhe në jetë duke e vënë edhe para arsimit. 51 për qind e maqedonasve e konsideruan punën si arritjen e dytë më të madhe në jetë. 60% e malazezëve e konsideruan punën po aq të rëndësishme sa arsimi, ndërsa serbët e konsideruan punën si arritje në jetë më të rëndësishme se arsimin.

Ndryshe nga rajoni, maqedonasit dhe serbët shohin si arritje më të madhe në jetë njohjen e njerëzve të duhur, që anashkalon arsimin dhe punën.

58% e popullsisë në rajon mendon se me një arsim të mirë dhe një punë sigurohet një e ardhme e mirë. Ndërsa 38% i gjejnë kualifikimet e punës dhe arsimin si parakushtet kryesore për të gjetur një punë të mirë. 54% pretendojnë se njohja e njerëzve të duhur është e rëndësishme për një të ardhme të mirë, ndërsa më shumë se një e treta e popullsisë në Ballkan mendon se fati do t’i çojë përpara në jetë. (Elona)