Konfirmohen në Shqipëri rastet e para të gripit të shpendëve. Lajmi bëhet i ditur nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, e cila njofton se po monitoron situatën. Sëmundja është e pranishme vetëm në 3 vatra, në Fushë-Krujë, Dajt dhe në Bujan.

Shërbimi veterinar kreu eliminimin e shpendëve të prekura dhe të dyshimtë, si dhe mori masat për parandalimin e përhapjes së mëtejshme të sëmundjes. Në vijim, urdhri i ministrit ndalon në rang kombëtar tregtimin e shpendëve të gjallë në mjediset e hapura dhe në tregjet e kafshëve të gjalla. Lejohet lëvizja e shpendëve me destinacion thertoret, të shoqëruar vetëm me certifikatë shëndetësore veterinare.

Lidhur me komplekset intensive, deri tani nuk ka asnjë rast të dyshuar. Niveli i biosigurisë në këto komplekse është sipas standardeve evropiane dhe po monitorohen rigorozisht nga Shërbimi Veterinar.

“Është me rëndësi të theksojmë se produktet dhe nënproduktet me origjinë nga këto shpendë nuk paraqesin rrezik për shëndetin e konsumatorëve. MBZHR sjell në vëmendjen e publikut respektimin e higjienës dhe gatimin në temperatura të larta të të gjitha produkteve me origjinë shtazore”, -thuhet në njoftimin e ministrisë. (Elona)